Monica Bellucci magjeps Cannes, 12 minuta duartrokitje dhe dedikimi i Vincent Cassel

6 Min Read

Monica Bellucci ishte padyshim një nga figurat më të spikatura të Festivalit të Cannes 2026. Aktorja italiane mbylli edicionin e 79-të të festivalit me dy filma të rëndësishëm, një duartrokitje 12-minutëshe në sallë dhe një deklaratë të paharrueshme nga ish-bashkëshorti i saj Vincent Cassel: ‘Kur mendoj për Cannes, shoh Monica-n.’

Në mbrëmjen e fundit të konkursit zyrtar, më 22 maj, Bellucci u ngjit në tapetin e kuq së bashku me kastin e plotë të filmit noir Histoires de la Nuit, ku interpreton një nga rolet më intensive të karrierës së saj. Përkrah saj ishin aktorët Hafsia Herzi, Benoît Magimel, Bastien Bouillon dhe aktorja e re Tawba El Gharchi. Në sallë ndodheshin edhe Eva Longoria, Gillian Anderson dhe drejtori i festivalit Thierry Frémaux.

Prania e Monica Bellucci-t në Cannes kishte nisur shumë më herët. Që në ditët e para të festivalit, ajo tërhoqi vëmendjen me pjesëmarrjen në Butterfly Jam të regjisorit Kantemir Balagov, filmi hapës i Quinzaine des Cinéastes. Dy filma, dy role krejtësisht të ndryshme dhe dy paraqitje spektakolare në tapetin e kuq konfirmuan edhe një herë statusin e saj si ikonë e kinemasë europiane.

Rikthimi i shumëpritur në Cannes

Pas shtatë vitesh mungesë nga festivali, Monica Bellucci u rikthye në Croisette me një rol që sfidon standardet klasike të glamurit. Në Histoires de la Nuit, nën regjinë e Léa Mysius, ajo interpreton Cristina-n, një piktore italiane që jeton e izoluar në një zonë rurale franceze. Personazhi i saj është një grua e fortë, e ashpër dhe e shënuar nga koha.

Për këtë rol, Bellucci vendosi të shfaqej në ekran pa filtra dhe pa idealizime estetike, duke pranuar natyrshëm shenjat e moshës së saj, 61 vjeç. Ky vendim u vlerësua si një akt autenticiteti dhe force artistike.

Në premierën e filmit, Monica Bellucci dominoi tapetin e kuq me një paraqitje elegante.  Ajo kishte zgjedhur një fustan total black nga koleksioni vjeshtë-dimër 2026/2027 i Fendi-t, koleksioni i parë i realizuar nga Maria Grazia Chiuri për shtëpinë e famshme të modës.

Fustani i gjatë prej dantelle macramé me motive floreale krijonte një lojë të rafinuar transparencash, duke kombinuar sensualitetin me elegancën klasike. Pamja e saj u plotësua nga flokët e lëshuar në nuancë gështenjë të errët dhe një grim intensiv smokey eyes që theksonte shikimin e saj magnetik.

Një histori e lidhur ngushtë me Cannes

Marrëdhënia e Monica Bellucci-t me Festivalin e Cannes zgjat prej më shumë se tre dekadash. Pikërisht këtu ajo debutoi në vitin 2002 në tapetin e kuq me Vincent Cassel për filmin Irréversible të Gaspar Noé. Në Cannes ajo u rikthye në vitin 2017 si maîtresse de cérémonie dhe po këtu historia e saj personale është ndërthurur vazhdimisht me atë profesionale.

Këtë vit, për një rastësi që duket si skenar filmi, Bellucci dhe Cassel ndodheshin sërish në të njëjtin festival, dhjetë vite pas ndarjes së tyre. Cassel, i cili ishte shfaqur disa ditë më parë në premierën e La Bola Negra me partneren e tij aktuale Narah Baptista, kishte bërë deklaratën që u kthye në një nga më të komentuarat e festivalit: ‘Kur mendoj për Cannes, shoh Monica-n.’

Edhe pse të dy u panë në Croisette, nuk pati asnjë fotografi apo dalje publike së bashku.

Heshtja elegante për jetën private

Sa i përket lidhjes së saj me regjisorin Tim Burton, e cila përfundoi në shtator 2025, Bellucci preferoi të ruante diskrecionin. Në një intervistë para festivalit, ajo deklaroi shkurt: ‘Çfarë kemi pasur nuk do të përfundojë kurrë. Respekti dhe dashuria do të mbeten gjithmonë.’ Për pjesën tjetër të jetës së saj sentimentale, aktorja kërkoi privatësi: ‘Në moshën time kam të drejtë të mbaj disa gjëra vetëm për vete.’

12 minuta duartrokitje për ‘Histoires de la Nuit’

Pas shfaqjes së Histoires de la Nuit, publiku shpërtheu në duartrokitje të gjata që zgjatën 12 minuta. Filmi kishte marrë reagime entuziaste edhe gjatë projeksionit, përpara se të përfundonin titrat.

Në film, Monica Bellucci interpreton Cristina-n, fqinjën misterioze të çiftit Nora dhe Thomas, të luajtur nga Hafsia Herzi dhe Bastien Bouillon. Historia zhvillohet në një zonë të izoluar rurale, ku ardhja e tre të panjohurve rikthen sekrete të errëta të së kaluarës dhe tensione që shpërthejnë pikërisht në prag të një feste ditëlindjeje.

Me këtë interpretim të fuqishëm dhe një rikthim plot hijeshi në Croisette, Monica Bellucci konfirmoi edhe një herë pse mbetet një nga ikonat më të mëdha të kinemasë europiane dhe një simbol i përhershëm i Festivalit të Cannes.

— THELB,

Share This Article