Nga Marilyn Monroe te njerëzit e zakonshëm të Amerikës, Avedon kërkoi gjithmonë atë që fshihet pas pamjes. Dokumentari i ri i Ron Howard në Netflix e rikthen në vëmendje një karrierë gjashtëdekadëshe që ndryshoi fotografinë e modës dhe të portretit.

Në një prej portreteve më të njohura të Marilyn Monroe, aktorja nuk ka buzëqeshjen, sharmin apo energjinë që publiku e kishte mësuar ta shihte. Është e ulur në një cep të studios së Richard Avedon në New York, e lodhur, e zhytur në mendime, pothuajse e shkëputur nga personazhi që kishte ndërtuar para kamerave. Është një Marilyn tjetër.
Fotografia u realizua në vitin 1957, pas disa orësh gjatë të cilave Monroe kishte kënduar, kërcyer dhe pozuar. Avedon kujtonte se asokohe, kur gjithçka mbaroi, ajo u ul në një cep, si fëmijë dhe sikur gjithë ajo energji të ishte shuar papritur e pikërisht atëherë, kur ajo nuk përpiqej më të ishte Marilyn Monroe, fotografi shkrepi çastin.

Ky ishte Richadr Avedon. Për të, fotografia nuk ishte mënyrë për të dokumentuar bukurinë, veshjen apo famën. Ishte përpjekje për të kuptuar njeriun që qëndronte përballë objektivit, pas fasadës. Sot jeta dhe vepra e tij rikthehen përmes dokumentarit ‘Avedon’, me regji të Ron Howard, që pati premierën në Festivalin e Filmit në Kanë dhe ka arritur në Netflix më 11 nëntor. Me fotografi të papublikuara, pamje arkivore dhe dëshmi të njerëzve që punuan me të, filmi hap një dritare te krijimtaria dhe te bota personale e fotografit.
Njëqind mijë fytyra
Avedon lindi në New York në vitin 1923 dhe karrierën nuk e nisi mes studiove luksoze. Gjatë Luftës së Dytë Botërore iu bashkua Merchant Marine dhe u caktua në njësinë fotografike, ku realizoi mbi 100 mijë fotografi për dokumentet e identifikimit. Njëqind mijë fytyra, njëra pas tjetrës. Ishte shkolla e parë ku mësoi se çdo fytyrë ka historinë e vet.
Pas luftës, në moshën 22-vjeçare, filloi të punonte për Harper’s Bazaar, nën drejtimin artistik të Alexey Brodovitch, që e shtynte vazhdimisht të eksperimentonte. Në një kohë kur fotografia e modës mbështetej te pozat dhe kompozimet statike, Avedon i nxori modelet nga studioja, në rrugët e Parisit, në kafene, klube nate, cirqe. I nxiti të lëviznin, të kërcenin, të vraponin, të qeshnin. Fotografia e modës filloi të tregonte histori, jo vetëm veshje.
Dovima with Elephants (1955) është shembulli më i qartë. Në Cirque d’Hiver të Parisit, modelja pozon mes elefantëve me një fustan mbrëmjeje Christian Dior. Elegancë e brishtë përballë përmasave të egra, subjekti është i vendosur në një kontrast të papritur me një kompozim që ende nuk ka humbur peshën. Tipike e Avedon! Në vitin 1966 ai kaloi në Vogue, ku punoi me Diana Vreeland dhe fotografoi fytyrat që do të përcaktonin estetikën e dekadave pasuese: Twiggy, Penelope Tree, Lauren Hutton, Veruschka, Brooke Shields.

Fotografi i mirë nuk udhëhiqet nga sipërfaqja, aftësia e tij është të lexojë përmes saj atë që ka brenda subjektit: shprehinë, frymën, shpirtin, botën, ngjarjen, përjetimin, çastin. Ky zanat lidhet edhe me njerëzoren, me aftësinë për të lexuar përmes objektivit një realitet subjektiv, por që lë gjurmë dhe të bën të reflektosh shumë kohë pasi një imazh është shkrepur. Krijimi i lirë, pa rregulla, me instikt dhe talent, por me profesionalizëm dhe përvojë. Sepse asgjë nuk realizohet, nuk krijohet e nuk evidentohet pa punë dhe eksperimentim, siç bëri Avedon gjatë gjithë karrierës së tij.
Sfondi i bardhë
Në studion e Richard nuk kishte ku të fshiheshe. As rrugë, as perde, as dritë që të bënte punën e fjalës së mirë. Vetëm një sipërfaqe e bardhë dhe, përballë saj, dikush që duhej të qëndronte. E njëjta sipërfaqe u shtrua përpara Marilyn Monroe-s dhe përpara minatorëve të Perëndimit Amerikan, dhe kjo e bën zgjedhjen më shumë se estetike: është një lloj gjykimi. Kur heq kontekstin, heq edhe alibinë. Nuk ka më profesion, kostum apo famë që ta shpjegojë personin. Mbetet vetëm ajo që ai bën kur e di se po shikohet. Fotografia lind pikërisht aty, në përpjekjen e vogël për ta mbajtur fasadën ose për ta lëshuar.
Por thjeshtësia vizuale nuk e bënte procesin të ftohtë. Avedon besonte se fotografia e mirë lind nga marrëdhënia mes fotografit dhe personit përballë tij, ndaj përdorte bisedën, humorin, muzikën dhe lojën për të krijuar një atmosferë ku subjekti të ndihej i lirë. Lauren Hutton dhe Penelope Tree kanë kujtuar se puna me të i ndihmonte të hiqnin rezervat dhe të shfaqnin një anë më spontane të vetes. Nuk ishin trupa që prezantonin veshjet, por bashkëpunëtore.

Edhe vetë Avedon e dinte se ajo që dilte nga ky përballje nuk ishte dokument i pastër. Një prej thënieve të tij mbetet më e sinqerta që është thënë ndonjëherë për portretin: ‘Të gjitha fotografitë janë të sakta. Asnjëra prej tyre nuk është e vërteta.’
Përtej modës
Emri i tij lidhet ngushtë me modën dhe me portretet e njerëzve të famshëm: Audrey Hepburn, Andy Warhol, Bob Dylan, Charlie Chaplin, The Beatles. Por ai ishte po aq i interesuar për njerëzit që nuk kishin emër për publikun.

Në vitin 1964, bashkë me shkrimtarin James Baldwin, mikun e tij që nga shkolla e mesme, botoi Nothing Personal, ku fotografitë dhe esetë trajtonin kontradiktat e shoqërisë amerikane, racizmin, pabarazinë dhe tensionet politike të kohës. Mes viteve 1979 dhe 1984 realizoi In the American West: pesë vera udhëtimi nëpër perëndimin amerikan, duke fotografuar minatorë, punëtorë, kamarierë. Të njëjtin sfond të bardhë që përdorte për yjet e Hollywood-it e shtriu përpara njerëzve që rrallë kishin qenë të qëndronin kështu përballë një kamere. Nuk bënte dallim në seriozitetin që u jepte. Të gjithë meritonin të njëjtën hapësirë dhe të njëjtën vëmendje.
Njeriu pas kamerës
Pavarësisht aftësisë për të zbuluar anë të panjohura të të tjerëve, Avedon mbeti vetë një figurë komplekse. Pas energjisë, sharmit dhe vetëbesimit që shfaqte në punë, fshihej një njeri i përfshirë vazhdimisht në ankth dhe dyshime për veten. Dokumentari i Howard përpiqet të shkojë përtej imazheve të njohura, drejt marrëdhënies së tij me familjen, fëmijërisë, obsesionit krijues dhe nevojës për kontroll. Kontribuojnë Twiggy, Isabella Rossellini, Lauren Hutton, Calvin Klein dhe djali i tij, John Avedon, ndërsa arkivi i Richard Avedon Foundation i dha realizuesve akses në qindra mijëra fotografi, negativë dhe materiale të papublikuara.
Pamjet e punës e tregojnë një personalitet energjik. Asistenti i tij, fotografi Sebastian Kim, kujton një seancë me Dalai Lama-n: Avedon godet aksidentalisht kokën te një pajisje drite. Dalai Lama shpërthen në të qeshura. Avedon shkrep. Dy fotografitë që dolën, thotë Kim, e kapën momentin e duhur. Anekdota përmbledh një pjesë të filozofisë së tij: fotografia nuk ishte gjithmonë kontroll i plotë, por aftësi për ta njohur një çast të papritur kur të vijë.

Avedon ndërroi jetë në vitin 2004, në moshën 81-vjeçare, teksa punonte për një projekt të The New Yorker me titull Democracy. La pas një arkiv me rreth 60.000 seanca fotografike.
Ajo që e bënte të veçantë nuk ishte aftësia për të fotografuar fytyra të famshme, por mënyra si i shihte. Fotografia e tij mbetet në distancën mes imazhit publik dhe njeriut real, aty ku një shkrepje është vetëm fillimi i një imazhi që të ndjek shumë kohë pasi është bërë.
THELB,

