Oasis sërish bashkë, dokumentari i rikthimit premierë në Festivalin e Filmit në Venezia

6 Min Read

Në Venecia, Liam dhe Noel Gallagher mbërritën të fundit. Në tapetin e kuq dëgjoheshin Champagne Supernova dhe Wonderwall, ndërsa dy vëllezërit hynë krah për krah në premierën e Oasis: Don’t Look Back in Anger, dokumentarit që rrëfen rikthimin e tyre dhe turneun Live ’25.

Vetë prania e tyre së bashku ishte një ngjarje më vete. Ishte dalja e parë publike e vëllezërve krah për krah, jashtë skenës, që prej ndarjes së Oasis në vitin 2009. Për më shumë se një dekadë marrëdhënia mes tyre kishte qenë aq e vështirë sa një ribashkim dukej gjithnjë e më pak i mundshëm. Edhe kur Oasis u kthyen për Live ’25, kamerat e dokumentarit kapën dy vëllezër që, pas 15 vitesh, po ndanin përsëri të njëjtën dhomë, të njëjtat këngë dhe më pas të njëjtën skenë. Një vit më vonë, në Venecia, ata ishin përsëri pranë njëri-tjetrit, këtë herë për të parë në ekran historinë e atij rikthimi.

Pjesa më interesante e kësaj ngjarje është se, në gati dy dekada kur Oasis nuk ekzistonte më si grup, muzika e tyre vazhdoi të dëgjohej, të kalonte nga një brez te tjetri dhe të gjente një publik që nuk i kishte parë kurrë bashkë në skenë, ose ishte shumë i ri për t’i kujtuar.

Për të kuptuar përmasën e këtij rikthimi duhet të kthehemi te momenti kur dukej se gjithçka kishte marrë fund. Marrëdhënia mes Liam dhe Noel Gallagher kishte qenë prej vitesh po aq pjesë e historisë së grupit sa edhe muzika.

Në gusht 2009, pak përpara se grupi të dilte në skenë në festivalin Rock en Seine në Paris, një tjetër përplasje mes vëllezërve solli anulimin e koncertit. Pak më vonë Noel njoftoi largimin. Oasis kishte marrë fund.

Të dy vazhduan të bënin muzikë. Liam me Beady Eye dhe më pas si artist solo; Noel me Noel Gallagher’s High Flying Birds. Ndërkohë, marrëdhënia mes tyre vazhdoi të ushqente tituj gazetash dhe ideja e një ribashkimi u kthye në një pyetje që përsëritej pothuajse sa herë njëri prej tyre jepte një intervistë. Përgjigjet nuk jepnin shumë arsye për optimizëm.

Në gusht të vitit 2024, Liam dhe Noel Gallagher njoftuan Oasis Live ’25.

Wonderwall, Don’t Look Back in Anger, Champagne Supernova, Live Forever apo Supersonic kishin mbetur ndërkohë pjesë e kulturës muzikore shumë përtej brezit që i kishte dëgjuar kur u publikuan. Ishin këngë që vazhdonin të transmetoheshin, të dëgjoheshin në platformat digjitale dhe të rizbuloheshin nga njerëz që nuk kishin asnjë kujtim personal nga vitet e Britpop-it.

Kjo u bë e dukshme sapo nisi turneu. Mes publikut që kishte jetuar Oasis në vitet ’90 ishin Millennials dhe Gen Z, prindër me fëmijët e tyre dhe njerëz që kishin udhëtuar nga vende të ndryshme për koncertet. Një pjesë e mirë e atyre që prisnin t’i shihnin në Live ’25 nuk po riktheheshin te një grup i rinisë së tyre; po shkonin ta shihnin për herë të parë. Vitet e gjata të mungesës kishin bërë që Oasis të kalonte nga kujtesa e një brezi në zbulimin e një tjetri.

Edhe ribashkimi, të paktën në fillim, duket se ka qenë shumë më pak sentimental sesa mund të imagjinohej. Kamerat e Don’t Look Back in Anger hyjnë në provat e grupit. Aty janë Liam dhe Noel përsëri në të njëjtën dhomë, duke u përgatitur për një turne mbi të cilin rëndon një pyetje shumë e thjeshtë: a do të funksionojë?

Dyshimi nis të humbasë peshë kur ata dalin përpara publikut në Cardiff dhe fillojnë Hello. Reagimi i njerëzve i befason dhe dokumentari sugjeron se marrëdhënia mes tyre nis të zbutet.

Regjisorët Dylan Southern dhe Will Lovelace janë shprehur se kishin nisur të bënin një film për pajtimin e dy vëllezërve, por gjatë turneut kuptuan se kishin përpara edhe një histori tjetër, atë çfarë kishte ndodhur me marrëdhënien e publikut me muzikën e Oasis gjatë 15 viteve të mungesës së grupit.

Dokumentari nuk i kthen papritur në dy burra sentimentalë që shpjegojnë gjithçka që ka ndodhur mes tyre. Humori, thumbimet dhe mënyra karakteristike e komunikimit vazhdojnë të jenë aty. Por kanë kaluar 15 vjet.

Titulli i dokumentarit vjen nga një prej këngëve më të njohura të Oasis, por tridhjetë vjet pas publikimit të saj tingëllon pothuajse si një koment mbi vetë historinë e grupit. Don’t Look Back in Anger shoqëron tani një dokumentar për dy vëllezër që, pas një ndarjeje të gjatë dhe një marrëdhënieje të vështirë, kanë zgjedhur të bëjnë përsëri muzikë së bashku.

Në edicionin e 83-të të Festivalit të Filmit në Venecia, entuziazmi që ka shoqëruar rikthimin e Oasis u pa edhe një herë në përmasat e tij. Premiera e dokumentarit u duartrokit për tetë minuta me ovacion, publiku këndoi gjatë shfaqjes, ndërsa imazhet e Liam dhe Noel Gallagher krah për krah pushtuan menjëherë internetin.

Pas një rikthimi që vetëm pak vite më parë dukej i paimagjinueshëm, Oasis janë sërish këtu. Tani mbetet të shohim se si Liam dhe Noel Gallagher do të zgjedhin ta vazhdojnë historinë e tyre.

-THELB,

Share This Article