Sandra Bullock qëndron në një dhomë të gjelbër. Pranë saj një mace e zezë, një oxhak, një qiri i ndezur. Në një tjetër imazh, një tavolinë e mbuluar me mollë; diku tjetër, trupi, veshja dhe objektet vendosen në kompozime që duken më afër një tabloje sesa një fotografie tradicionale mode.
Janë fotografitë e editorialit të ri të Interview Magazine, realizuar nga Szilveszter Makó, i cili mban edhe drejtimin artistik të setit. Dhe nëse krijojnë ndjesinë e pikturave të fillimit të shekullit XX, nuk është krejt rastësi.
Makó ka ardhur te fotografia nga piktura. Në punën që bën, seti ndërtohet përpara se të hyjë kamera: sfondet, objektet, kostumi dhe drita bëhen pjesë e kompozimit. Referencat e tij kalojnë nëpër historinë e artit, nga përdorimi klasik i dritës dhe hijes te Surrealizmi, Dada dhe Bauhaus-i. Në lidhje me punën e tij është përmendur edhe René Magritte, me atë botë të njohur dhe njëkohësisht të çuditshme ku objektet e zakonshme, sapo ndryshojnë vend ose përmasë, fillojnë të duken të tjera.

Kjo nuk do të thotë se seria është një homazh për Magritte apo për një lëvizje të caktuar artistike, por shpjegon deri diku pse kemi ndjesinë se po shohim tablo të ndërtuara dhe jo thjesht një celebrity photoshoot.
Në qendër të tyre është Sandra Bullock, 62 vjeç, të cilën prej disa vitesh e kemi parë shumë më rrallë. Filmi i saj i fundit ishte The Lost City në vitin 2022. Më pas Bullock u tërhoq nga aktrimi dhe nga pjesa më e madhe e ekspozimit publik për t’iu kushtuar familjes. Tani po kthehet me Practical Magic 2, sërish përkrah Nicole Kidman.
Në këtë moment, Interview Magazine e sjell në kopertinë dhe bisedën ia beson Jennifer Aniston. Që në fillim, Aniston tallet me gjithë idenë e ‘rikthimit’: nga mënyra si flitet për mungesën e Bullock, duket sikur ajo ka qenë larg për njëqind vjet dhe sapo ka dalë nga një shpellë. Bullock ia kthen me të njëjtën monedhë dhe ky ton vazhdon gjatë një pjese të mirë të intervistës.
Ato ndërpresin njëra-tjetrën, bëjnë shaka, largohen nga pyetjet dhe kthehen përsëri; flasin për flokët, fëmijët, miqtë, frikën, punën dhe për atë që ndodh kur një batutë e thënë mes miqsh përfundon e shkëputur nga konteksti në internet.
Afërsia mes tyre nuk është e re. Interview Magazine i kishte vendosur përballë njëra-tjetrës edhe në vitin 2020, vetëm se atëherë ishte Sandra Bullock ajo që intervistonte Jennifer Aniston. Në atë bisedë treguan edhe një prej historive më të pazakonta të miqësisë së tyre: të dyja kishin qenë, në periudha të ndryshme, në një lidhje me aktorin Tate Donovan. Vite më vonë, ato u bënë mike.

Gjashtë vjet pas asaj interviste, rolet janë përmbysur. Një nga temat ku ndalet Aniston është mungesa e Bullock nga kinemaja dhe mënyra se si ka ndryshuar marrëdhënia e saj me punën.
Bullock tregon se sot nuk ndien më të njëjtën nevojë për të qenë vazhdimisht përpara kamerës. Vendimet profesionale lidhen gjithnjë e më shumë me jetën e dy fëmijëve të saj, Louis dhe Laila, një projekt që kërkon të largohet nga Los Angeles duhet të përshtatet me kalendarin e tyre dhe, nëse ata nuk mund ta shoqërojnë, ajo zgjedh të mos largohet.
As Practical Magic 2 nuk duket se e ka ndryshuar këtë raport me kinemanë. Filmi e rikthen te Sally Owens, personazhi që interpretoi përkrah Nicole Kidman në vitin 1998. I pritur ftohtë nga kritika në atë kohë, Practical Magic fitoi me vitet statusin e një cult classic. Ishte vetë Bullock që hodhi idenë e vazhdimit, një projekt që kërkoi rreth pesë vjet për t’u realizuar.
Kur Aniston e pyet nëse përfundimi i filmit i ka zgjuar dëshirën për të nisur menjëherë një tjetër projekt, Bullock pranon se për momentin ndihet e lodhur dhe do të preferonte t’i linte vetes pak kohë për jetën jashtë punës.
Pas më shumë se tri dekadash karrierë, ajo flet për një fazë në të cilën mund të zgjedhë me më shumë kujdes kur dhe për çfarë dëshiron të rikthehet përpara kamerës. E njëjta gjë vlen edhe për ekspozimin publik. Kur Aniston e pyet si arrin ta ndajë gruan private nga Sandra Bullock që njeh publiku, ajo përgjigjet se privatësinë e ka mbrojtur gjithmonë, pavarësisht famës.

Intervista vjen ndërkohë e shoqëruar nga një prej editorialeve fotografike më të pazakonta që Bullock ka realizuar vitet e fundit. Në imazhet e Szilveszter Makó-s, një prej fytyrave më të njohura të Hollywood-it shfaqet në një formë të papritur, herë si personazh, herë si pjesë e një tabloje dhe herë pothuajse e panjohur.
Nëse pas kësaj zgjedhjeje fshihet një mesazh i veçantë, as Bullock dhe as Makó nuk e kanë shpjeguar. Mund të ketë gjurmë të botës së Practical Magic, mund të jetë thjesht gjuha e dallueshme artistike e fotografit. Por, pas disa vitesh në të cilat Bullock ka zgjedhur të shihet shumë më pak, mënyra se si ka zgjedhur të shfaqet përsëri është në vetvete interesante.
-THELB,

