Vjena po flet për Ermonela Jahon!

7 Min Read

Ka role operistike ku nuk mjafton vetëm zëri. Adriana Lecouvreur është një prej tyre ku personazhi duhet të jetë njëkohësisht aktore dhe këngëtare, grua e dashuruar dhe artiste e vetëdijshme për skenën, e brishtë dhe dramatike. Këto ditë, në Wiener Staatsoper, këtë rol e mban Ermonela Jaho.

Sopranoja shqiptare është rikthyer në Vjenë si protagonistja e operës Adriana Lecouvreur të Francesco Cilea-s, në produksionin e David McVicar, nën drejtimin muzikor të Marco Armiliato. Shfaqja e parë e serisë u dha më 5 shtator, ndërsa të tjerat janë programuar më 8, 11 dhe 14 shtator 2026.

Përkrah Jahos është një kast i rëndësishëm: mezzosopranoja Elīna Garanča interpreton Princeshën e Bouillon-it, Luciano Ganci është Maurizio dhe Roberto Frontali, Michonnet.

Ajo që e bën këtë rikthim veçanërisht interesant është mënyra se si interpretimi i Jahos është pritur nga kritika austriake. Pas shfaqjes së 5 shtatorit, ‘Der Standard’ e vendosi Ermonela Jahon mes pikave më të forta të mbrëmjes. Kritiku Stefan Ender ndalet veçanërisht te një cilësi që prej vitesh është bërë pjesë e identitetit artistik të sopranos shqiptare: aftësia për ta çuar dramën drejt intensitetit pa pasur nevojë ta mbështesë atë gjithmonë te forca e zërit.

Janë pianissimo-t në regjistrin e lartë, butësia e timbrit dhe kontrolli i nuancave ato që tërheqin vëmendjen e kritikës. Aq sa Der Standard sugjeron një marrëdhënie interesante mes këndimit të Jahos dhe orkestrës: delikatesa e interpretimit të saj duket sikur gjen vazhdim edhe në mënyrën se si Marco Armiliato drejton Orkestrën e Wiener Staatsoper. Sipas kritikës, Ermonela Jaho, Marco Armiliato dhe orkestra krijojnë ‘momente kulmore të delikatesës’.

Opera e Francesco Cilea-s u shfaq për herë të parë në Milano në vitin 1902 dhe mbështetet lirshëm mbi historinë e aktores franceze të shekullit XVIII Adrienne Lecouvreur, një prej figurave të mëdha të Comédie-Française.

Në qendër është një grua që jeton mes skenës dhe jetës reale, mes artit, dashurisë dhe rivalitetit. Adriana dashuron Maurizion, ndërsa përballë saj gjendet Princesha e Bouillon-it, e dashuruar me të njëjtin burrë. Historia ecën drejt një fundi tragjik, por ajo që e ka mbajtur rolin të gjallë në repertorin operistik është kompleksiteti i protagonistes.

Adriana nuk është shkruar vetëm për interpretimin përmes zërit. Personazhi gjenpeshën tek fjala, frazimi, aftësia për të kaluar nga deklamimi teatral te linja melodike dhe, mbi të gjitha, një interpretuese që mund ta bëjë publikun të besojë se përpara tij ndodhet një aktore që këndon, jo vetëm një soprano që luan një aktore. Roli është lidhur historikisht me disa prej emrave të mëdhenj të operës italiane, mes tyre Renata Tebaldi, Magda Olivero, Renata Scotto dhe Mirella Freni.

Karriera ndërkombëtare e Ermonela Jahos nuk është ndërtuar mbi idenë e zërit si demonstrim force. Në shumë prej roleve me të cilat ajo është identifikuar si Violetta në La traviata, Cio-Cio-San në Madama Butterfly, Suor Angelica apo Thaïs qendra e interpretimit të saj ka qenë marrëdhënia mes zërit dhe personazhit.

Jaho këndon shpesh sikur kufiri mes teknikës vokale dhe gjendjes emocionale duhet të bëhet i padukshëm.

Kjo ka bërë që gjatë viteve kritika ndërkombëtare ta vlerësojë jo vetëm si soprano, por veçanërisht si interpretuese. Në skenat ku standardi teknik është parakusht, ajo që e dallon një këngëtar nga një tjetër bëhet aftësia për të ndërtuar një personazh.

Adriana duket pothuajse një rol i natyrshëm për të edhe sepse personazhi i Cilea-s ekziston pikërisht në atë dimension ku interpretimi dhe jeta fillojnë të përzihen.

E lindur në Tiranë, Jaho e zbuloi operën si adoleshente dhe më pas vazhdoi formimin në Itali, në Accademia Nazionale di Santa Cecilia në Romë. Prej aty nisi një karrierë që e ka çuar në disa prej institucioneve kryesore të operës ndërkombëtare: Royal Opera House në Londër, Metropolitan Opera në New York, Teatro Real në Madrid, Opéra national de Paris, Bayerische Staatsoper dhe Wiener Staatsoper, mes shumë të tjerash.

Është një trajektore që sot mund të duket e natyrshme vetëm sepse është parë të ndërtohet gjatë shumë viteve. Por opera është një nga sistemet artistike më konkurruese ndërkombëtare dhe vazhdimësia në këto skena ka një peshë tjetër nga një paraqitje e vetme.

Edhe marrëdhënia e Jahos me Vjenën nuk nis këtë shtator. Ajo e ka interpretuar Adrianën në Wiener Staatsoper edhe më parë. Rikthimi i saj në të njëjtin rol, në të njëjtin produksion dhe në një teatër që punon vazhdimisht me zërat më të rëndësishëm të operës ndërkombëtare, është pjesë e kësaj vazhdimësie.

Në Wiener Staatsoper Jaho është interpretuesja që rikthehet në rolin kryesor, përballë një artisteje si Elīna Garanča, nën drejtimin e Marco Armiliato dhe brenda repertorit të një institucioni ku prania duhet të fitohet vazhdimisht.

Sezoni i Ermonela Jahos nuk ndalet me Adrianën. Vetëm dhjetë ditë pas shfaqjes së fundit në Vjenë, më 24 shtator, ajo do të jetë në Opernhaus Zürich si Magda në La rondine të Puccini-t, për pesë shfaqje deri më 15 tetor. Në nëntor rikthehet sërish në Wiener Staatsoper, këtë herë si Cio-Cio-San në Madama Butterfly, ndërsa dhjetori e çon në Lille me koncertin Ermonela – L’âme en feu.

Kalendari i vitit 2027 e zgjeron edhe më tej këtë hartë, Suor Angelica në Royal Ballet and Opera në Londër, Maria Stuarda në Théâtre des Champs-Élysées në Paris, Mimì e La bohème në Metropolitan Opera të New York-ut, një tjetër Adriana Lecouvreur në Valencia dhe më pas Madama Butterfly në Athinë dhe në Bayerische Staatsoper të Mynihut.

Janë role që Jaho i njeh dhe role tek të cilat rikthehet, por edhe teatro që vazhdojnë ta kërkojnë sezon pas sezoni.

-THELB, 

Share This Article