Në koleksionin e fundit Haute Couture Vjeshtë-Dimër 2026/27, Zuhair Murad ndërton figurën e një heroine që ekziston mes kontradiktave të dukshme. Ajo është njëkohësisht zanë dhe magjistare, e brishtë dhe e paarritshme, e aftë të dashurojë pa humbur veten dhe të japë pa hequr dorë nga pavarësia e saj.
E titulluar Love and Dominion, koleksioni e vendos këtë figurë femërore në një botë të përbërë nga kështjella akulli, pyje dimërore dhe peizazhe që duket sikur i përkasin më shumë një legjende sesa realitetit. Megjithatë, simbolika e tij mbetet thellësisht bashkëkohore.



Për Murad, forca nuk shfaqet si spektakël dhe as si dominim mbi të tjerët. Ajo qëndron te vetëkontrolli, te aftësia për të ruajtur diçka të paprekshme edhe në momentet e ekspozimit më të madh.
Kjo ide përshkon edhe gjuhën vizuale të koleksionit.
Zogj nate të qëndisur mbi tyl të zi transformojnë supersticionin në elegancë, ndërsa trëndafilat tredimensionalë të mbuluar me kristale ngjasojnë me ngricën e mëngjesit mbi degët dimërore. Motivet e frymëzuara nga hekuri i farkëtuar nuk sugjerojnë më kafazin, por mundësinë e arratisjes prej tij.




Kadifeja dhe pëlhurat më të rënda ndërtojnë veshje me volum dhe karakter të fortë, ndërsa shifoni dhe tyl-i sjellin lehtësi dhe lëvizje. Edhe përmes materialeve, Zuhair Murad duket se luan vazhdimisht mes dy ideve që përshkojnë të gjithë koleksionin: forcës dhe delikatesës
Pendët, të pranishme në shumë prej krijimeve, përforcojnë këtë ide. Ato nuk shfaqen si simbol arratisjeje, por si kujtesë e lirisë për ta bërë atë në çdo moment.



Koleksioni Love and Dominion nuk duket se flet për pushtetin në kuptimin tradicional të fjalës, por për marrëdhënien me të. Heroina e Zuhair Murad nuk ka nevojë ta provojë forcën e saj dhe as ta shfaqë atë vazhdimisht. Ajo thjesht e zotëron.
– THELB,

