CINEMODA: moda zhvendoset nga pasarela në kinema

4 Min Read

Gjatë Milano Fashion Week, moda nuk ndodh vetëm në pasarela. Më 25 dhe 26 shtator, ajo zhvendoset edhe në ekranin e Cineteca Arlecchino, në qendër të Milanos, ku për dy ditë do të shfaqen 11 filma ku veshjet, kostumet dhe personazhet janë po aq pjesë e historisë sa vetë filmi.

Në program janë disa prej filmave dhe figurave që kanë ndërtuar lidhjen mes kinemasë dhe modës: nga 8½ i Federico Fellinit me Marcello Mastroianni te Belle de jour me Catherine Deneuve dhe kostumet e Yves Saint Laurent, nga Jane Birkin e Agnès Varda te Marc Jacobs në dokumentarin e parë të Sofia Coppola-s, Marc by Sofia.

Madrina e këtij edicioni është Chiara Mastroianni, zgjedhje që e bën lidhjen mes modës dhe kinemasë edhe më personale. Vajza e Marcello Mastroianni dhe Catherine Deneuve është rritur mes dy prej figurave që kanë lënë gjurmë në kinemanë europiane dhe në mënyrën si moda është bërë pjesë e imazhit të tyre. Në Marcello Mio, filmin e Christophe Honoré të vitit 2024, ajo rikthehet te babai i saj duke rindërtuar mënyrën e tij të të folurit, gjestet dhe kostumet që lidhen më fort me personazhet e tij — këmisha, kravata dhe syzet me skelet të zi nga 8½, kostumi ngjyrë krem me këmishë të errët nga La Dolce Vita.

Për këtë edicion, Mastroianni ka bashkëpunuar me kuratorin Gian Luca Farinelli në përzgjedhjen e filmave, program që kalon nga klasikët te dokumentarët dhe filmat eksperimentalë. Eventi zhvillohet pak hapa nga Duomo, me filma në versionin origjinal me titra, të shoqëruar nga prezantime ekspertësh.

Në Belle de jour të Luis Buñuel (1967), Catherine Deneuve vesh kostume të krijuara posaçërisht për të nga Yves Saint Laurent një nga bashkëpunimet më të njohura mes një stilisti dhe kinemasë, ku veshja shoqëron transformimin e personazhit Séverine. Saint Laurent shfaqet edhe si protagonist në dokumentarin e Jérôme de Missolz, që e ndjek në Deauville, Paris dhe Marrakech e pas kuintave të një sfilate Haute Couture.

Në 8½, veshja lidhet me vetë Marcello Mastroianni-n dhe personazhin e Guido Anselmit: kostumi i errët, këmisha e bardhë, kravata dhe syzet me skelet të zi janë bërë një prej imazheve më të njohura të aktorit.

Jane Birkin shfaqet përmes një filmi eksperimental të Agnès Varda-s, që e vë në qendër aktoren dhe këngëtaren. Marc Jacobs është subjekt i Marc by Sofia, dokumentari i parë i Sofia Coppola-s, që hyn në botën krijuese të stilistit dhe në miqësinë e tyre të vjetër.

Dy filma të tjerë kanë kthyer një imazh të vetëm në po aq të njohur sa vetë filmi: te Paris, Texas i Wim Wenders, minifustani rozë prej mohair i Nastassja Kinski-t mbetet një referencë e stilit të viteve ’80; te À bout de souffle i Jean-Luc Godard-it, flokët e shkurtër dhe bluza e Jean Seberg janë bërë pjesë e historisë së stilit francez.

Dy filmat e fundit e çojnë marrëdhënien në një drejtim tjetër: The Hunger, debutimi regjisorial i Tony Scott, bashkon Catherine Deneuve, Susan Sarandon dhe David Bowie në një histori.

-THELB,

Share This Article