Përpara publikimit të albumit të saj të ri ‘Confessions II’ më 3 korrik, Madonna ka prezantuar ‘Confessions II – The Film’, një film të shkurtër 13-minutësh që shoqëron projektin e ri muzikor, sot online edhe në kanalin e Youtube të artistes.
I shfaqur premierë në Beacon Theatre në New York, filmi prezanton një përzierje të gjashtë këngëve të para të albumit me një seri skenash që lëvrojnë mes modës, performancës, dhe referencave ndaj skenës muzikore e artistike të New York-ut që shoqëroi fillimet e karrierës së Madonna.

Zgjedhja e një filmi të shkurtër si hyrje për albumin e ri nuk duket rastësore. Gjatë gjithë karrierës së saj, Madonna ka treguar një aftësi të veçantë për t’u përshtatur me ndryshimet e kohës dhe mënyrën se si publiku konsumon muzikën dhe imazhin. ‘Confessions II – The Film’ duket si një format që flet njëkohësisht me publikun e saj të hershëm dhe me brezat më të rinj.
Nuk është rastësi as prania e figurave që i përkasin brezave dhe universëve të ndryshëm kulturorë, nga Sabrina Carpenter te Lourdes Leon, vajza e Madonna-s, apo Julia Garner. Filmi krijon një urë mes historisë së artistes dhe një audience që mund të mos ketë jetuar epokat më të rëndësishme të karrierës së saj, por vazhdon të ndeshet me ndikimin e saj në modë, muzikë dhe kulturën vizuale të ditëve të sotme.
Mes tyre, vëmendjen e ka tërhequr veçanërisht Julia Garner. Prej vitesh, aktorja amerikane lidhet me projektin e filmit biografik për jetën e Madonna-s dhe në një nga skenat e ‘Confessions II – The Film’ ajo shfaqet me flokë bjondë platin dhe buzë të kuqe, në një pamje që të kujton menjëherë Madonna-n e fillimeve të saj në New York.
Më shumë sesa një referencë nostalgjike, momenti krijon një lidhje interesante mes kapitullit të ri që artistja po prezanton dhe historisë së saj, e cila prej vitesh është zhvilluar edhe si projekt kinematografik.

Kjo nuk është hera e parë që Madonna përdor modën dhe imazhin si pjesë të rrëfimit të saj artistik. Që nga vitet ’80, karriera e saj është ndërtuar po aq mbi estetikën vizuale sa edhe mbi muzikën. Videoklipet, fotografitë, kostumet skenike dhe transformimet e vazhdueshme kanë qenë gjithmonë pjesë e së njëjtës histori.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye ‘Confessions II – The Film’ duket më interesant si projekt vizual sesa si material promocional. Ai nuk prezanton vetëm një album të ri, por rikthen një nga elementët që e kanë shoqëruar gjithmonë Madonna-n: aftësinë për ta kthyer çdo kapitull të karrierës së saj në një univers estetik më vete.
Pas më shumë se katër dekadash në qendër të kulturës pop, Madonna vazhdon të mos e ndajë muzikën nga imazhi, modën nga performanca apo autobiografinë nga arti.
– THELB,

