Në Windsor, një ceremoni 700-vjeçare ku historia vazhdon të vishet

2 Min Read

Vetëm dy ditë pas paradës së përvitshme ‘Trooping the Colour’, parada ushtarake që çdo qershor shënon ditëlindjen ceremoniale të monarkut britanik, familja mbretërore britanike u mblodh sërish në Windsor për një tjetër ceremoni që vazhdon të mbetet ndër ritualet më të vjetra dhe më simbolike të kurorës britanike.

Bëhet fjalë për ceremoninë e Urdhrit të Jarretierës, urdhri më i vjetër i kalorësisë në Britaninë e Madhe, i themeluar në vitin 1348 nga Mbreti Edward III dhe që prej gati shtatë shekujsh vazhdon të mbahet çdo vit në Kështjellën Windsor.

Për publikun e sotëm, ceremonia tërheq vëmendjen jo vetëm për praninë e figurave të familjes mbretërore, mes tyre Mbreti Charles III, Princi William apo Kate Middleton, por edhe për estetikën e saj ceremoniale që duket sikur i përket një tjetër epoke.

Shumë përpara se moda të kthehej në industri, aristokracia europiane e kishte kuptuar tashmë fuqinë e veshjes si simbol autoriteti. Dhe ceremonia e Order of the Garter mbetet një nga shembujt më të qartë se si disa kode estetike vazhdojnë ende të mbijetojnë pothuajse të pandryshuara.

Mantelët prej kadifeje blu të errët, kapelat me pupla të bardha, dekoratat e arta dhe procesioni solemn që kalon drejt St George’s Chapel krijojnë një nga ato skena të rralla ku historia nuk qëndron vetëm në libra, por vazhdon të ekzistojë si ritual i gjallë.

Ndoshta arsyeja pse ceremoni si kjo vazhdojnë ende të jenë në qendër të vëmendjes nuk lidhet vetëm me monarkinë britanike. Në një kohë kur kultura vizuale ndryshon vazhdimisht, pak institucione kanë ruajtur kaq gjatë aftësinë për ta kthyer historinë, veshjen dhe ritualin në një imazh që vazhdon ende të tërheqë publikun.

– THELB,

Share This Article