Çfarë ka ende për të na thënë Carrie Bradshaw?

5 Min Read

Në një dyqan këpucësh diku në New Jersey, mes rafteve që dukeshin shumë më të larta se ç’ishte ajo vetë, Sarah Jessica Parker mësoi diçka që s’do ta harronte kurrë: një palë këpucë nuk blihen, por zgjidhen. Ishte një nga tetë fëmijët e një familjeje ku paratë nuk mjaftonin gjithmonë dhe nëna e saj e kishte kthyer atë udhëtim në një lloj rituali të vogël, ku pyetja nuk ishte kurrë ‘cilat të pëlqejnë më shumë tani?’, por ‘cilën palë do ta mbash më gjatë?’

Vogue Brasil i ka kushtuar një artikull lidhjes shumëvjeçare të Sarah Jessica Parker me këpucët dhe, brenda bisedës, ky kujtim e vendos historinë e saj me modën shumë përpara Carrie Bradshaw, Manolo Blahnik dhe gjithë atyre detajeve që e bënë stilin e Carrie të njohur në botën e modës.

Por çfarë e bën një stil personal? Jo domosdoshmërisht preferenca për një ngjyrë apo një siluetë të caktuar. Është si një tezgjah që punon pa zë. Shija mund të ushqehet nga shumë më tepër sesa moda: nga një pikturë që të ka bërë përshtypje pa e kërkuar, nga forma e një luleje që të ka prekur pa arsye të qartë, nga një përshkrim që ke lexuar diku dhe që ka mbetur brenda teje. Por këto, vetëm, nuk mjaftojnë. Stili personal merr formë nga mënyra se si i përzgjedhim, i interpretojmë dhe i përkthejmë këto ndikime në veshje.

Kur Parker u bë Carrie Bradshaw, ndërtoi pa frikë imazhin e vet, përziente vintage me luks, gjëra romantike me elemente që zakonisht nuk do t’i mendoje bashkë dhe mënyra se si i bashkonte i bënte ato të dukeshin natyrshëm të sajat. Manolo Blahnik ishin vetëm një pjesë e stilit që ajo ndërtoi, një stil që nuk mbeti i lidhur vetëm me kohën kur u kthye në ikonë.

Prova më e mirë se Carrie Bradshaw nuk i përket vetëm një epoke është mënyra se si ajo është rikthyer në sytë e një brezi që nuk e përjetoi kurrë ‘Sex and the City’ në kohë reale. Carrie konsiderohet një lloj ‘It girl’ për Gen Z, një term që sot nuk nënkupton thjesht një vajzë të famshme, por një figurë që përmbledh diçka nga shija, sjellja dhe fryma e një momenti kulturor. Ajo që duket se po rikthehet, përveç estetikës së viteve ’90 dhe 2000, është mënyra se si Carrie e përdorte veshjen për të ndërtuar identitetin e saj: vintage, elegancë, romantizëm, ekzagjerim, kombinime që nuk ndiqnin domosdoshmërisht rregullat, por që krijonin një stil të dallueshëm. Carrie ka qenë e tillë për gratë që e ndoqën në vitet ’90 dhe 2000, ndërsa sot po rikthehet te një brez tjetër që e zbulon përmes TikTok-ut, klipeve dhe modës së rikthyer.

Pas kaq vitesh, Carrie Bradshaw duket se ka kaluar nga statusi i një ikone mode në atë që sot quhet ‘Carrie Bradshaw effect’, një lloj reference për mënyrën se si mund të ndërtohet një marrëdhënie personale me veshjen, që nuk lidhet më vetëm me rikthimin e një pale këpucësh apo të një siluete të viteve ’90. Ka të bëjë me idenë se veshja mund të jetë një hapësirë loje personale, ku edhe një veshje krejt e zakonshme mund të marrë një tjetër dimension kur mbi të vendoset pak nga ajo energji eksperimentale dhe me shije e Carrie-t.

Ndoshta Carrie Bradshaw ka ende për të na thënë: stili personal nuk ndërtohet duke kërkuar një formulë për t’u ndjekur, por duke kultivuar shijen me të cilën përzgjedhim dhe interpretojmë gjithçka që na frymëzon. Carrie nuk është një referencë për t’u kopjuar, por një shembull i asaj që mund të bëjmë me referencat tona.

-THELB, 

Share This Article