Pas javëve të ekspozimit në diell, lëkura ka nevojë për më shumë se hidratim. Vitamina C ndihmon në luftimin e stresit oksidativ, përmirëson pamjen e njollave dhe i rikthen fytyrës një pamje më të ndritshme dhe uniforme.
Ka një arsye pse fundi i verës është një moment i mirë për t’i kushtuar më shumë vëmendje vitaminës C. Pas javësh në diell, lëkura mund të duket më e thatë, më e ashpër dhe më pak uniforme. Edhe nxirja, që në fillim duket e njëtrajtshme dhe e ndritshme, fillon gradualisht të zbehet ndërsa qelizat e sipërfaqes së lëkurës rinovohen.

Pse vitamina C është e rëndësishme pas verës?
Vitamina C, ose acidi askorbik, është një antioksidant i fuqishëm që përdoret gjerësisht në kozmetikë. Ekspozimi ndaj rrezatimit UV krijon stres oksidativ në lëkurë, ndërsa antioksidantët ndihmojnë në neutralizimin e radikaleve të lira që lidhen me këtë proces.
Vitamina C është një aktiv shumë efektiv për t’u përdorur në fund të verës, sidomos për të luftuar dëmtimin oksidativ që lidhet me ekspozimin e fundit në diell’, shpjegojnë specialistët e fushës. Përveç veprimit antioksidues, vitamina C njihet edhe për rolin e saj në mbështetjen e sintezës së kolagjenit dhe për aftësinë për t’i dhënë lëkurës një pamje më të ndritshme.
A e zgjat vitamina C nxirjen?
Ngjyra e marrë nga dielli zbehet gradualisht ndërsa qelizat e lëkurës rinovohen. Ajo që mund të bëjë një rutinë e mirë pas diellit është ta mbajë sipërfaqen e lëkurës të hidratuar, të lëmuar dhe më uniforme, duke bërë që edhe ngjyra e mbetur të duket më e bukur.
Eksfolimi i moderuar mund të largojë qelizat e vdekura që e bëjnë sipërfaqen të duket e ashpër dhe e zbehtë, ndërsa hidratimi ndihmon në ruajtjen e barrierës së lëkurës. Vitamina C, nga ana tjetër, kontribuon në shkëlqimin e saj dhe në mbrojtjen antioksiduese. Pra, në vend që ta shohim vitaminën C si një mënyrë për të ‘mbajtur’ nxirjen, është më e saktë ta konsiderojmë pjesë të një rutine që e bën lëkurën e nxirë të duket më e shëndetshme dhe më uniforme.

Si ta përfshini në rutinën e vjeshtës?
Pas verës, rutina mund të jetë shumë më e thjeshtë nga sa duket. Në mëngjes: pastrues i butë, serum me vitaminë C, hidratues dhe gjithmonë SPF. Mbrojtja nga dielli mbetet e nevojshme edhe pasi nxirja ka filluar të zbehet. Në mbrëmje: pastrues, serum hidratues ose serum me vitaminë C dhe krem hidratues. Nëse lëkura e toleron mirë vitaminën C, ajo mund të përdoret rregullisht; për lëkurat më të ndjeshme, është më mirë të fillohet gradualisht.
Një tjetër element është eksfolimi. Një scrub i butë për trupin ose një eksfoliant i përshtatshëm për fytyrën, i përdorur me masë, mund të ndihmojë në largimin e qelizave të vdekura. Por pas një vere me shumë diell, agresiviteti nuk është zgjidhja, një lëkurë e irrituar nuk ka nevojë për më shumë eksfolim, por për qetësim dhe hidratim.
Çfarë duhet të kërkoni në një produkt me vitaminë C?
Jo të gjitha produktet me vitaminë C janë të njëjta. Acidi askorbik i pastër (L-ascorbic acid) është forma më e studiuar, por është gjithashtu më e ndjeshme ndaj oksidimit dhe mund të irritojë lëkurat e ndjeshme.
Ekzistojnë edhe derivate të vitaminës C, të formuluara për të qenë më të qëndrueshme dhe, në disa raste, më të tolerueshme. Për këtë arsye, përzgjedhja e produktit duhet të bëhet sipas llojit të lëkurës, tolerancës dhe pjesës tjetër të rutinës, jo thjesht duke kërkuar përqendrimin më të lartë të mundshëm.

Vitamina C nuk është vetëm një përbërës kozmetik. Ajo është një vitaminë esenciale që merret përmes ushqimit dhe gjendet në shumë fruta e perime, mes tyre agrumet, kivi, specat dhe lakrat. Një dietë e larmishme dhe e pasur me fruta e perime mbështet shëndetin e përgjithshëm dhe furnizon organizmin me vitaminë C. Por kjo nuk do të thotë se konsumimi i ushqimeve të pasura me vitaminë C zëvendëson përdorimin e një produkti kozmetik nëse qëllimi është trajtimi i drejtpërdrejtë i lëkurës.
Pas verës, pra, nuk është momenti për të ndjekur një tjetër trend bukurie. Është momenti për t’i dhënë lëkurës atë që i mungon më shumë: hidratim, mbrojtje, antioksidantë dhe një rutinë të qëndrueshme.
-THELB,

