Koreografi Andonis Foniadakis solli ‘Unseen’ dhe ‘Boléro’ në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë.
Çfarë mund të gjejë një koreograf te muzika e Maurice Ravelit? Në shfaqjen e mbajtur më 9 tetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Andonis Foniadakis iu përgjigj kësaj pyetjeje me dy vepra të ndryshme. Unseen u nis nga kompozimet për piano; Boléro, nga ritmi i njohur që përsëritet e rritet deri në fund.

Për Unseen, Foniadakis është ndalur te ajo që ai dëgjon përtej mjeshtërisë teknike të Ravelit, një ndjenjë vetmie dhe distance. Kjo anë e muzikës i dha shkas një koreografie për përjetimet që shpesh mbeten të pathëna dhe për nevojën për t’u parë e kuptuar nga tjetri. Në skenë ishte edhe pianisti Apostolos Palios, ndërsa veprën e interpretuan pesë kërcimtarë.

Te Boléro, vëmendja kaloi te përsëritja dhe fuqia fizike e ritmit. Foniadakis e ndërtoi koreografinë për pesë kërcimtare duke përdorur trampolina ku kërcimet nisin të vogla e të kontrolluara, pastaj marrin lartësi dhe intensitet bashkë me muzikën. Është një zgjedhje që e bën të dukshëm me trup atë që kompozimi i Ravelit bën me tingullin.

Të vendosura në të njëjtën mbrëmje, dy veprat treguan sa ndryshe mund t’i afrohesh të njëjtit kompozitor. Foniadakis kërkoi te pianoja hapësirë për vetminë dhe reflektimin; te Boléro, një ritëm që i mbledh trupat në lëvizje. Shfaqja ishte pjesë e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë, i cili vijon deri më 21 tetor me vepra dhe trupa të tjera.
– THELB,

