Etnik Shala dhe arka që mori me vete në Paris

12 Min Read

Nga Jerina LUKA

Pak orë përpara se të prezantonte koleksionin ARKA në Paris, THELB fotografoi krijimet e Etnik Shalës pranë Louvre dhe bisedoi me të për objektet që mbledh, mjeshtërinë e punës me dorë dhe kujtimet që kanë hyrë në koleksionet e tij.

Qielli mbi Luvër ishte ende me re, por drita e perëndimit kishte nisur t’u jepte ngjyrë ndërtesave. Ne po mblidhnim pajisjet pas një dite fotografimesh. Pak orë më vonë do të niste sfilata e organizuar nga GX Fashion Week dhe secili duhej të shkonte në vendin e vet: modelet për t’u përgatitur, ekipi i imazhit për të përfunduar punën, ne për të ndjekur prezantimin.

THELB e kishte planifikuar këtë shërbim fotografik me krijimet e Etnik Shalësn në Paris. E njihnim punën e tij dhe Louvre na ishte dukur vendi i duhur. Koleksionin e ri e prisnim me shumë kureshtje, por vetëm kur modelet dolën përpara objektivit pamë për herë të parë çfarë kishte zgjedhur të sillte stilisti nga Peja në kryeqytetin e modës.

Në njërën prej veshjeve ishte portreti i Motrës Tone të Kolë Idromenos. Imazhi që jemi mësuar ta shohim si pikturë qëndronte tani mbi trupin e një modeleje, me muzeun pas saj. Pranë tij, veshjet e tjera zbulonin qëndisje të dendura, fije ari, forma të ndërtuara me kujdes dhe objekte me histori të vetat. Modelet, fotografët, artistët e makijazhit dhe stilistët e flokëve, shqiptarë e të huaj, punuan me orë të tëra që këto krijime të merrnin formë edhe në fotografi.

Kur mbaruam dhe po bëheshim gati të niseshim drejt sfilatës, biseda me Etnikun nisi nga një gjest i papritur. Ai përveshi mëngën dhe tregoi tatuazhin e tij të parë: Kullën Eiffel. E kishte bërë si adoleshent, shumë kohë përpara se të sillte një koleksion në Paris. Pastaj na tregoi për një arkë druri që gjyshja e tij e mbante të mbyllur me dry. Brenda ruante fotografi, dokumente, qëndisje dhe sende të tjera që fëmijës i dukeshin si thesare. Arka është ende e tij, dhe ajo i dha emrin koleksionit që do të shihnim atë mbrëmje: ARKA.

‘Unë e kam këtë arkë edhe sot. Mban kujtimet e të kaluarës e më frymëzon për të ardhmen’, thotë Shala për THELB. Nga sendet që gjyshja ruante brenda saj te objektet që ai vetë ka mbledhur ndër vite, interesi për atë që njerëzit zgjedhin të ruajnë është bërë pjesë e punës së tij. Në ARKA, pëlhurat e qëndisura, stolitë, aksesorët e vjetër dhe imazhet nga arti shqiptar hyjnë në veshje me historitë që mbartnin.

Të mësosh të bësh, përpara se të dalësh në pasarelë

Shala e nisi punën në modë i ri. Atelienë e parë e hapi në Pejë në vitin 2010, kur ishte 17 vjeç; më pas hapi një tjetër në Prishtinë. Ai e përshkruan formimin e tij si autodidakt, por kujdeset të përmendë njerëzit prej të cilëve ka mësuar. Flutura Dedinja, Izet Curi dhe Reshat Haxhismaili i kanë përcjellë, rrëfen, metoda që shkojnë nga ndërtimi klasik i veshjes te njohuritë e fituara gjatë një jete në këtë profesion.

Ai beson te talenti, por këmbëngul se talenti vetëm nuk e përfundon një veshje. ‘Pa mjeshtërinë e realizimit nuk mund të quhet profesionale’, shprehet. Ky dallim ndihmon për ta lexuar punën e tij, pas siluetave që shihen në fotografi apo në pasarelë qëndrojnë vendime për strukturën, materialin dhe mënyrën si një pjesë do të mbahet mbi trup.

Shala thotë se i pëlqejnë ‘gjërat e vështira’, strukturat që kërkojnë teknikë. Krahas tyre vendos detaje më të buta, sensuale. Nuk flet për një formulë që e përdor çdo here, gjatë punës një ide mund të ndryshojë, sepse veshja ka arritur tashmë efektin që kërkonte. ‘Pjekuria artistike është kur e kupton që ndonjëherë një detaj më pak ose më shumë e dëmton komplet veprën’, shprehet ai.

Ky vlerësim vjen edhe nga koha e kaluar duke parë punën e të tjerëve. Te veshjet e vjetra, gjëja e parë që e tërheq është puna e dorës. Mendon për teknikat dhe mjetet që kishte mjeshtri i asaj kohe, pastaj për kohën që i është kushtuar një detaji të vetëm. Ky interes është bërë gradualisht pjesë e krijimtarisë së tij.

Një koleksion sendesh dhe pyetjesh

Shala mbledh objekte etnografike. I kërkon në arkiva private, në tregje objektesh antike dhe, herë pas here, në vende të rajonit, ku ka gjetur punime me detaje shqiptare. Nuk e tërheq vetëm pamja e tyre. Përpara se ta përdorë një objekt si referencë, kërkon të mësojë kur është krijuar, për çfarë ka shërbyer dhe si është punuar. Bisedon edhe me specialistë që e kanë studiuar etnografinë.

Ndër objektet më të rëndësishme të koleksionit të tij është një xhubletë origjinale, të cilën e gjeti vite më parë në Krujë. Ishte e dëmtuar, por për të mbetet një nga pjesët më të vlefshme të arkivit personal. ‘Xhubleta mban vlerën e një tempulli në etninë shqiptare për mua’, thotë.

Mbledhja e këtyre objekteve e çon te një pyetje krijuese: si ta sjellë një punim të vjetër në një veshje të re, pa pretenduar se mund ta rikrijojë? Në disa koleksione ka zgjedhur fotografinë. Ajo i lejon të përdorë imazhin e objektit, duke e ruajtur të dallueshëm origjinalin.

Te ‘Kornizë Marubi’ përdori fotografi historike si printime mbi pëlhurë, dhe koleksioni mori Grand Prix në BIG SEE Fashion Design Award 2021. Te ‘Etnikografi’ fotografoi veshje të vjetra nga treva të ndryshme shqiptare dhe i solli në koleksion përmes imazheve. Te ‘MYTH’, i paraqitur në Londër, iu kthye fotografive të Marubit dhe pranë aksesorëve të vjetër të filigranit përdori detaje të realizuara me printim 3D. Interesi i tij për teknikat e së kaluarës nuk mbaron te ato, kërkon edhe mënyra bashkëkohore për t’u dhënë formë veshjeve.

‘Unë nuk preferoj t’i imitoj, t’i deformoj e as të konkurroj me veprat antike tradicionale’, shpjegon Shala. Megjithatë, kur fotografia printohet mbi një siluetë të re, imazhi merr një jetë tjetër, lëviz bashkë me trupin. Kjo është ndërhyrja e stilistit, ndërsa punimi nga i cili është marrë imazhi mbetet i dallueshëm.

Në vitin 2022, Paper Gallery, në bashkëpunim me Bienalen e Prishtinës, hapi MM6, ekspozitën e parë individuale të Etnik Shalës, ku koleksionet e tij u panë pranë njëri-tjetrit, jashtë ritmit të pasarelës.

Krijimet e tij, thotë ai, ‘duken si lojë, janë enigma, janë fragmente që vetëm unë mund t’i deshifroj’. Shikuesi mund të mos i njohë përvojat nga të cilat kanë lindur koleksionet, por sheh frytin e kërkimit të tij, punimeve artizanale të së shkuarës ai u jep vend në veshje të reja, të ndërtuara me mjeshtëri, të pasura në hollësi dhe njëkohësisht elegante.

Çfarë kishte brenda ARKA-s?

Shala e kishte planifikuar prej kohësh koleksionin që prezantoi në Paris. Jo çdo ide e tij merr formë sapo lind. ‘Ka koleksione që kam filluar vite më parë, janë në proces, po nuk e di se kur vjen momenti për t’i shfaqur’, rrëfen ai. Edhe ARKA kërkoi kohë: pëlhurat dhe aksesorët që mblodhi për të kishin secili historinë e vet dhe shenjat e viteve të përdorimit.

Ai flet për qëndisje të imëta me fije ari, për detaje të punuara me gjilpërë që kërkojnë ditë të tëra. Përmend aksesorë prej bakri, plumbi e filigrani, si edhe pjesë të vjetra nga koleksioni i tij personal. Për disa prej tyre thotë se janë disa shekullore. Edhe dëmtimet që kanë marrë me kalimin e kohës kanë rëndësi për të, sepse janë gjurmë të historisë së tyre. ‘Si të prekësh një copë historie’, shprehet Shala.

Mënyra si e përfshin një objekt të vjetër në veshje varet nga vetë objekti. Ndonjëherë kërkon një pëlhurë që t’ia nxjerrë në pah rëndësinë, herë të tjera e thjeshton veshjen për t’ia lënë atij vëmendjen. Përzgjedhja e sendeve ishte vetëm një pjesë e punës, duhej vendosur edhe si do të hynte secili në koleksion.

Një prej imazheve që zgjodhi ishte Motra Tone e Kolë Idromenos. Ai e njihte portretin që nga fëmijëria, si një nga veprat e para të artit shqiptar që kishte mësuar në shkollë. Zgjedhja lidhej veçanërisht me Parisin: piktura ishte restauruar në Luvër dhe, në vitin 2005, ishte ekspozuar në Musée d’Orsay. Dy dekada më vonë, Shala e solli sërish imazhin e saj në qytet, këtë herë mbi një veshje që fotografuam pranë Louvre.

Mbrëmja në Paris

ARKA, me 14 veshje, u prezantua më 3 tetor në Musée Banksy, gjatë javës së modës në Paris, në eventin e organizuar nga GX Fashion Week. Në sallë ishin miq, kolegë, familjarë që i kishin bërë surprizë dhe një profesoreshë e tij që jeton në Londër. Shala tregon se takoi njerëz të interesuar për bashkëpunime, por është ende herët për të folur për projekte që mund të lindin prej tyre.

Në përmbyllje të sfilatës, doli me një jelek dhe kapele të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thotë se pjesët origjinale, të përdorura gjatë luftës, ia kishte huazuar një veteran përmes miqve. Për shumë familje, shprehet ai, një uniformë e tillë është ndër sendet më të çmuara të ruajtura në shtëpi; për disa, i vetmi kujtim i mbetur nga dikush që sakrifikoi jetën.

Shala e përshkruan daljen e tij si një nderim për njerëzit që bënë të mundur që sot të flasë gjuhën e vet dhe të përfaqësojë vendin e tij. Kështu kuptimi i arkës zgjerohet: mban kujtimet e gjyshes, objektet që ai ka mbledhur dhe sendet që familje të tjera i ruajnë për arsye shumë më të dhimbshme.

 

*Ky profil u ndërtua mbi bisedën e THELB me stilistin Etnik Shala

Share This Article